Marrëdhënia treshe është ekuilibri i përsosur

Egla Harxhi flet për seksualitetin, raportin tresh dhe ekuilibrin që synon nëpërmjet tij. Dashuria nuk është tek fjalët, por tek veprat

Mentor Nazarko: Ti guxove, se e le të kuptoje…e bëre publike se në jetën e shumëkujt mund të ketë momente të tilla apo se kishte kërkim të kënaqësisë edhe në forma jotradicionale si lezbizmi, apo ku di unë si mund t’i quajmë marrëdhëniet…

Egla Harxhi: Menage a trois.

Mentor Nazarko: Menage a trois apo 4.

Egla: (frengjisht) Treshja për mua është më e mirë.

Mentor Nazarko: Treshja është më e mirë, ta themi shqip?

Egla Harxhi: Jo, për mua është ekuilibër. Është thjesht mënyra se si e mendoj dhe e jetoj jetën time. Ok, nuk është se unë e bëj kështu dhe ti duhet ta bësh kështu patjetër, nuk bëhet fjalë për këtë. Ajo çfarë unë kam dashur të them shumë qartë është fakti që: e para, nuk duhet të hyj në kategorizime…

Mentor Nazarko: Jo, mos hyj në kategorizime, as ne nuk na interesojnë detajet. Na intereson kjo se përmende ekuilibrin për një raport treshe, dikush mund thotë kjo ka diçka të përbashkët me eksperiencën poligamike. Lejohet në islam, apo jo?!

Egla Harxhi: Unë do shkoja më herët sesa islami. Do të shkoja në paganizëm. Nuk kam asnjë lloj lidhje me fenë. Nuk kam pasur asnjëherë.

Mentor Nazarko: Jo, e kam fjalën për legalizimin si koncept të bashkëjetesës.

Egla Harxhi: Pikërisht për këtë flasim, që  nuk ka çfarë të legalizohet në këtë rast. Nuk ka çfarë të legalizohet! Sidomos një gjë që kam ve re, duke u përqëndruar te kultura franceze, që në vitet ’60 deri në ’68 ka qënë kulmi i lirisë e revolucionit seksual; nuk e vriste më njeri mendjen se unë jam gay, jam biseksual. Nuk e mendonin.

Mentor Nazarko: Ka patur dhe filma për incest. Edhe ato filluan te konsideroheshin, apo ishin vetëm shpërfaqja e disa gjërave që ekzistonin?

Egla Harxhi: Liria seksuale varet gjithmonë nga palët që janë të përfshira. Dhe në qoftë se kjo liri e imja nuk cenon lirinë e tjetrit, pra gjërat fliten, janë transparente.

Ilnisa Agolli: Ti mendon se kemi ne liri seksuale ne Shqipëri?

Egla Harxhi : Jo, Jo, nuk mendoj se ka liri seksuale, për vetë faktin se si trajtohet figura femërore, pra në mënyrë mishtore, jo për atë që ajo është. Për mua nuk është liri, sepse kjo femër, ose më mirë po themi, kjo grua, kjo vajzë që ka, kthehet në një objekt. Dhe çfarë është që për mua është më shumë lënduse kur e shoh, është fakti që në momentin që ato kanë dëshirën për ta shprehur këtë gjë, do i vihen mbiemra nga pas.

Ilnisa Agolli: Ti pse e ‘bërtite’ këtë preferencë tënden?

Egla Harxhi: Në fakt ishte shumë e natyrshme se në një intervistë, për shkak të disa fotove që kisha bërë me një vajzë.

Mentor Nazarko: I treti nuk ishte, apo jo?

Egla Harxhi: Jo. Në një set fotografik që kisha bërë me një vajzë më pyetën ‘po ty të pëlqejnë vajzat’’ dhe unë u përgjigja shumë sinqerisht. Përgjigja qe po. Më pëlqejnë vajzat, më pëlqejnë djemtë, nuk e mendoj.

Mentor Nazarko: Kur e zbulove ti këtë prirje? Si ta themi në shqip, këtë predispozicion. A zbulohet ky, a është  i brendshëm?

Egla Harxhi: Ne çdo gjë e zbulojmë, nuk lindim duke i ditur. Dhe çdo gjë është një eksplorim, një zbulim dhe je ti ai që vendos pastaj që ok, kjo gjë është për mua ose nuk është për mua. A ndihem mirë këtu, apo jo.

Mentor Nazarko: Nga shpërfaqja e kësaj gjëje, e kësaj preference për një marrëdhënie edhe jetësore treshe , apo jo? Këtë je duke thënë, që nuk është vetëm një raport fizik tresh, por është dhe një raport jetësor tresh.

Egla Harxhi: Po marrim vetëm një shembull.

Mentor Nazarko: Po shembullin merre nga vetja se pastaj dalim predikatorë në ajër. Po marrim një shembull. Ti e kupton se godet moralin tradicional me këtë. Godet ca dhe nga ai lloj morali që ka shoqëria perëndimore, lindore e kush të duash.

Egla Harxhi: Shkove përtej kufijve të Shqipërisë.

Mentor Nazarko: Ti e godet apo jo këtë model bigamik?

Egla Harxhi: Unë nuk dua të godas askënd e asgjë. Çfarë unë kërkoj është që gjithsecili ta jetojë​ ashtu si ai e mendon vetë jetën e tij. Në qoftë se mua më thonë, duhet të kesh familje, duhet të kesh fëmijë, unë nuk e shoh kështu. Ok, është për ty, por jo për mua. Nuk e dua kështu.

Ilnisa Agolli: Unë do të doja ta thjeshtëzoja pak. Të shikoj një vajzë, kudo mund të jetë kjo vajzë. Ti i thua guxo, provoje njëherë? Si mund ta zbulojë ajo pra?

Egla Harxhi: Duke dëgjuar veten dhe kjo është problem që…

Ilnisa Agolli: Ti i thua guxo. Të pëlqen diçka, kape, preke, shijoje…

Egla Harxhi: Guxo, por duke qenë e përgjegjshme në të njëjtën kohë.

Mentor Nazarko: Çfarë domethënë e përgjegjshme?

Egla Harxhi: E përgjegjshme në faktin që…

Mentor Nazarko: Të mos kalosh nga treshja te katërshja. Ku është përgjegjësia këtu?

Egla Harxhi: Jo, përgjegjësia është duke mos cenuar…

Mentor Nazarko: Përgjegjësia raportohet me moralin dominant. Dy është-thotë morali dominant. E thotë prifti, e thotë hoxha. Ku është përgjegjësia, se shumë po flet për përgjegjësinë, po janë përgjegjësi e papërgjegjshme.

Egla Harxhi: Jo, përgjegjësia qëndron te fakti që ky individ që do ta jetojë jetën në një formë të caktuar, e bën për veten e tij.

Mentor Nazarko: Për t’u ndierë mirë.

Egla Harxhi: Për t’u ndierë mirë dhe nuk i ndikon askujt në jetën komunitare, në qoftë se ai e shpërfaq këtë gjë. Unë nuk jam për deklamime dhe në fakt ka një gjë në këtë mes. Një fjalë që unë thashë, u shumëfishua në disa drejtime.

Mentor Nazarko: Po, por asnjë njeri s’po të sheh ty.

Egla Harxhi: U shumëfishua në disa drejtime dhe në fakt ishte një testim shumë interesant se ishte pikërisht ajo.

Mentor Nazarko: E paske bërë me qëllim këtë gjë.

Egla Harxhi: Jo, nuk ishte me qëllim, por një fjalë u shumëfishua në shumë drejtime. Dhe çështja është që unë nuk jam për deklamimin e gjërave.

Mentor Nazarko: Po, e the që e ke personale këtë. Po, por për shembull, më fal që ndërhyra, a përplaset me konceptin e përgjegjshmërisë: një puthje e një çifti, ka fituar qytetari në bar, në një park. Po puthja 2+1, sipas teje, a duhet të fitojë qytetari?

Egla Harxhi: Unë, në radhë të parë, nuk jam në përgjithësi vetë e hapur, që deklamon.

Mentor Nazarko: Është shtypje e madhe të përmbahesh, apo jo?

Egla Harxhi: Unë, në radhë të parë, personalisht, dashuria nuk tregohet në publik.

Mentor Nazarko: Qartë. Domethënë edhe sikur të ishte një raport dysh?

Egla Harxhi: Edhe në një raport dysh, nuk jam me faktin që tregohet.

Mentor Nazarko: Qënke e frenuar kështu.

Egla Harxhi: Jo, nuk ka të bëjë me frenimin. Dashuria është një koncept shumë më i gjerë se kaq. Nuk është te kjo; shpirti, zemra, te puthjet.

Mentor Nazarko: Ka hipokrizi këtu, apo jo?

Egla Harxhi: Është diçka që unë nuk e ndiej këtë gjë ta bëj dhe nuk e shoh si të vërtetë. Dashuria është tek veprat, çfarë është ky individ që ti ke në krah.

Ilnisa Agolli: Ti beson tek dashuria?

Egla Harxhi: Besoj tek dashuria, sigurisht që besoj tek dashuria. Dhe pikërisht këtë po përpiqem të shpjegoj, që dashuria nuk është me fjalë. Nuk është ajo dëshira për ta pasur tjetrin, është për ta lënë të lirë tjetrin.

Mentor Nazarko: S’ka konkurrencë  te raporti tresh?

Egla Harxhi : Jo, përkundrazi.

Mentor Nazarko : Për dashuri, për vëmendje..

Egla Harxhi : Jo. Dhe këtë po përpiqem të them, që dashuria nuk është tek vëmendja, tek fizikja. Është tek fakti që çfarë unë të jap ty.

Mentor Nazarko : Është mënyra jote kjo për dashurinë apo e ke lexuar diku?

Egla Harxhi: Është e imja, është e imja siç e ndiej.

Egla Harxhi per Konica.al

Mentor Nazarko: Nuk e gjen diku tjetër? Te një lexim, te një diskutim me miq.

Egla Harxhi: Është shumë logjike fakti që dashuria tregohet me vepra, që nga prindërit që na duan pa kushte. Dashurinë e tyre e tregojnë nëpërmjet veprave që bëjnë. Dhe unë këtë koncept kam për dashurinë në përgjithësi. Mbi një shoqe, mbi një të afërm, mbi këdo. Dhe në cift, për mua është universale. Nuk ka të bëjë me atë dashurinë pasionante që lexojmë nëpër libra. Dhe është shumë e bukur dhe ia vlen të jetohet, por ia vlen të jetohet në momentin që ka transparencën dhe faktin që ky individ që është me ty, mendon për te mirën tënde. Dhe veprat që bën nuk i ka fjalë. Sepse mund të themi gjithë ditën të dua pafund, zemra ime, etj… Mund të themi gjithë ditën të dua, por nuk janë ato. Janë veprat që ti bën për dikë, liria që i jep dikujt.

Ilnisa Agolli: Në këtë trion, një mendoj se sakrifikohet ose vetësakrifikohet për lumturinë e partnerit. Kështu ndodh rëndom? Se ne kemi parë dhe filma.

Egla Harxhi: Në qoftë se do besonim gjithçka që ndodh nëpër filma…sigurisht është pasqyrim i realitetit, por që…

Ilnisa Agolli: Ngase më erdhi në mend ky filmi me Penelope Cruz, Havier Bardem…

Egla Harxhi: Vicky, Cristina , Barcelona.

Ilnisa Agolli: Jam te filmat, Mentor, sot, me Eglën…Alen…

Egla Harxhi: Në fakt, nuk ka sakrificë në atë mes. Nuk ka sakrificë, sepse…

Ilnisa Agolli: Nuk vjen ky i treti në momentin që ka marrë fund pasioni dhe seksualiteti midis çiftit?

Egla Harxhi: Jo.

Ilnisa Agolli: Atëherë e kërkojnë të dy këtë njeriun e tretë?

Egla Harxhi: Jo, por kjo që thua mund të jetë e vërtetë se ka pasur raste në histori që ka ndodhur. Por ka një ndryshim midis faktit të diçkaje që ti e lë dhe e kërkon në momentin që ke nevojë, ose të diçkaje që ti e ke kuptuar që në fillim. Që kjo është për ty!

Mentor Nazarko: Të gjesh dikë të gatshëm për një gjë të tillë duhet të duash trefish. Pra duhet të gjesh një person dhe nje tjetër person. Apo është e lehtë?

Egla Harxhi: Mmmm…

Mentor Nazarko: Që të pranojë dhe përballojë një jetë të këtillë.

Egla Harxhi: Në përgjithësi nuk është e lehtë. Mund të jesh dy veta dhe mund të kalosh gjithë jetën pa e gjetur atë dashurinë dhe atë harmoninë që ti kërkon.

Mentor Nazark: E qartë. Pra ti mendon të ngelësh këtu? Ky është ekuilibri yt përfundimtar?

Egla Harxhi: Unë nuk mendoj asgjë përfundimtare.

Mentor Nazarko: Ok.

Egla Harxhi: I marr gjërat si të më vijnë dhe se si ndihem. Dhe nuk them asnjëherë : Oh, nesër unë do të jem kështu. Nuk e mendoj fare! Për momentin, jetoj momentum dhe i gëzohem jetës që jetoj dhe çfarë është e rëndësishme është që çdo minutë ia dedikoj diçkaje që unë po ndërtoj, dhe pastaj se si kjo do zhvillohet, është komplet…

Konica.al

Comments

comments

Utopian

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *